Nisma e parë komunitare e Forumi Tematik Rinor

10/08/2022

Sa emocionuese, aq edhe edukative u kthye mesdita e sotme në Shtëpinë e të moshuarve ‘Sefer Dervishi’ në Kavajë.

Forumi Tematik Rinor i Kavajës iu bashkua të moshuarve në këtë qendër, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, ku tematika e kësaj dite është Solidariteti mes Brezave.

Ky aktivitet u ideua nga vetë të rinjtë e forumit, si pjesë e ndërmarrjes së nismave komunitare në kuadër të projektit “Forumi Tematik Rinor – një mjet për të fuqizuar të rinjtë në bashkinë Kavajë” në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perendimor 2 (ReLOaD2), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të ReLOaD/UNDP Juljan Papaproko, Lorena Gjergji dhe Nënkryetarja e bashkisë Kavajë znj. Valbona Mustafa.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte:
• Të rinjtë të ndërgjegjësohen dhe të rrisin interaktivitetin e tyre me moshën e tretë;
• Ndikimi tek të moshuarit mbi perceptimet dhe qëndrimet e tyre për brezat e rinj të kohës;
• Dhënia e mesazheve dhe këshillave nga të moshuarit për të rinjtë.

Të rinjtë e Forumit Tematik Rinor gjatë takimit me të moshuarit bënë disa mini-aktivitete, të cilat përfshinë:
• Bashkëbisedim me të moshuarit mbi tema të ndryshme;
• Muzikë të viteve ‘90;
• Lyerje me bojë të stolave në oborr bashkë me të moshuarit;
• Telajo e bardhë me mesazhe ndërgjegjësuese.

Gjatë takimit të rinjtë bashkëbiseduan me të moshuarit, shkëmbyen mendime, të moshuarit rrëfyen eksperiencat dhe sfidat e tyre mbi jetën, arsimin, profesionit gjatë viteve të shkuara të rinisë.

Disa nga komentet e të moshuarve ishin:
‘Të përkushtoheni ndaj shkollës, pasi ju bën të aftë për jetën’.
‘Të dëgjoni këshillat e gjyshërve dhe prindërve tuaj dhe ndiqni modelet e tyre pozitive’.
‘Të kalojmë sa më shumë kohë së bashku, pasi nuk duam të ndihemi të vetmuar dhe na jepni mjaft energji të mirë’.

Falënderojmë UNDP Albania për mbështetjen financiare në këtë projekt, bashkinë Kavajë për partneritetin dhe bashkëpunimin dhe shtëpinë e të moshuarve ‘Sefer Dervishi’ Kavajë për mikëpritjen.