Shkolla e Mesme “Kajo Karafili” në Maminas

23/10/2025

Siguria rrugore fillon me ne!

22 tetor 2025, në Shkollën e Mesme “Kajo Karafili”Maminas, u zhvillua sesioni i 18-të ndërgjegjësues me 35 nxënës dhe nxënëse, të cilët ndoqën aktivitetin me interes.

Të rinjtë mësuan për rregullat e sigurisë në rrugë dhe pasojat e aksidenteve. Përveç ekspertëve të sigurisë rrugore, pjesë e sesionit ishte edhe punonjësi i Drejtorisë Vendore të Policisë, i cili ndau përvoja reale dhe këshilla praktike për sjelljet e sigurta në rrugë. Më pas, nxënësit përjetuan simulimin e një aksidenti me makinë, duke kuptuar nga afër se çdo vendim i gabuar në rrugë mund të ketë pasoja serioze për jetën.

“Kur e shikon me sy, e kupton më mirë. Tani do të jem më i kujdesshëm,” – u shpreh një prej pjesëmarrësve.

Ky aktivitet u organizua nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi dhe Aktivizimi i të Rinjve për Siguri dhe Edukim”, me mbështetjen e Programit “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria Suedeze.

Nxënësit e Maminasit treguan se kujdesi i vogël në rrugë bën një ndryshim të madh për sigurinë e të gjithëve.