
Shkolla e Mesme Publike “Aleksandër Moisiu” në Kavajë
23/10/2025
Siguria fillon nga vetëdijësimi!
Më 20 tetor 2025, në Shkollën e Mesme Publike “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, u zhvillua sesioni i 17-të ndërgjegjësues me 30 nxënës dhe nxënëse, të cilët kishin interes dhe dëshirë për të mësuar informacionet rreth sigurisë nga ekspertët e fushës, si dhe mbi rolin e punonjësve të policisë së rendit dhe asaj rrugore. Bisedat konstruktive me punonjësin e Drejtorisë së Policisë Vendore Durrës ishin një element që u vlerësua nga nxënësit pjesëmarrës, duke rritur besimin në referimin e rasteve të shkeljeve dhe mbi respektimin e rregullave në rrugë dhe kudo.
Pas diskutimeve në klasë mbi rreziqet dhe sjelljet e sigurta në rrugë, të rinjtë patën mundësinë të përjetojnë përmes makinës së simulimit efektet reale të një aksidenti. Për shumë prej tyre, kjo ishte një përvojë praktike shumë e vlefshme.
“E kupton ndryshe kur e përjeton vetë — tani do të jem shumë më i kujdesshëm në rrugë,” – tha njëri prej pjesëmarrësve.
Ky aktivitet u organizua nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi dhe Aktivizimi i të Rinjve për Siguri dhe Edukim”, mbështetur nga Programi “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria Suedeze.
Të rinjtë e Kavajës treguan se vetëdijësimi është hapi i parë drejt sigurisë — sepse çdo sjellje e përgjegjshme në rrugë shpëton jetë.