Si të kuptojmë dhe të përshtatemi me ndryshimin, ftohjen e marrëdhënieve familjare?
Për shkak të rezonancës së thellë kulturore dhe historike, njerëzit janë edukuar të kenë një imazh stereotipik për familjen: njerëz të lidhur nga gjaku, marrëdhëniet me të cilët nuk i zgjedhim, por na diktohen prej lindjes. Çështja e shpërbërjes së marrëdhënies familjare është parë gjithherë si tabu dhe para vitit 2011 madje me zor gjendeshin informacione që mund t’u vinin në ndihmë njerëzve që po kalonin situata familjare të cilat kërkonin si domosdoshmëri ftohjen, shkëputjen ose pezullimin për një kohë të marrëdhënies familjare. Përgjatë dekadës së fundit, edhe për shkak të ndryshimit të legjislacionit për familjen në disa shtete, si dhe njohjes së martesave mes së njëjtës gjini, ka patur më shumë informacion përreth ftohjes së marrëdhënies prindër-bij, informacion ndaj të cilit po drejtohen një numër gjithmonë e më i madh njerëzish. Megjithë muzgun e kuptueshëm informativ, hulumtuesit e kësaj fushe, vlerësojnë që tjetërsimi emocional i marrëdhënies me familjen e lindjes, nëse do të mund ta shprehnim si “tehuajsim” është një fenomen i përhapur dhe po aq i zakonshëm sa divorci në disa segmente të shoqërisë. (Conti, 2015).
Pra, vallë dëshirojmë të dimë shumë pak për diçka që prek jetët e shumë njerëzve?
Një hulumtim i udhëhequr nga Dr. Lindsey J. Thomas dhe Ph.D. Kristina M Sharp (2016, 2018) vëren se ekzistojnë norma dhe pritshmëri shoqërore të paracaktuara rreth marrëdhënies prind-fëmijë, të cilat gjenerojnë paragjykim dhe stigmë në rast të “tehuajsimit”, ftohjes së marrëdhënies.
Stereotipi i “qëndrueshmërisë së marrëdhënies” (2016) dhe “lidhjes së pandashme” (2018) kanë krijuar përshtypjen dhe bindjen shoqërore që marrëdhënia prind-fëmijë nuk është e mundur të mbarojë. Këto pritshmëri përfshijnë supozime kulturore të tipit: (1) prindërit dhe fëmijët janë të lidhur përjetësisht përmes biologjisë/gjenetikës, (2) lidhjet familjare krijojnë zotime afatgjata dhe të përhershme, dhe (3) njerëzit në familje janë të lidhur nga një histori e përbashkët e cila është e pazëvendësueshme. Prindërit të cilët ndjejnë të nevojshme distancimin nga fëmijët e tyre, gjithashtu duhet të përballen me pritshmëritë kulturore që e lidhin prindin me dhënien e dashurisë së pakushtëzuar në çdo situatë fëmijëve dhe se “identiteti” i të qenurit “prind” është i përhershëm (Scharp & Thomas, 2018). Prandaj, arsyeja parësore pse ne dimë ende pak për zvetënimin e marrëdhënies prind-fëmijë është se prej një perspektive kulturore, njerëzit përgjithësisht besojnë që një thyerje e tillë nuk duhet të ekzistojë. Megjithatë, ata që e kanë përjetuar dhe e përjetojnë këtë, e dinë që kjo ftohje nga familja është e mundur dhe në disa raste e shëndetshme për t’u bërë.
Si pjesë e studimit të tyre, Scharp and Thomas (2016, 2018) identifikuan gjithashtu sesi përballen fëmijët dhe prindërit respektivisht me supozime të tilla kulturore, të cilësuara më lart. Fëmijët e rritur, në veçanti, dëshmuan për këtë studim që marrëdhënia prind-fëmijë si çdo marrëdhënie tjetër, kërkon të ushqehet dhe ruhet dhe nuk duhet marrë për e mirëqenë. Ata u shprehën se të qenurit të lidhur për shkak të gjakut ka shumë më pak vlerë se mbështetja e dyanshme, kujdesi i vazhdueshëm dhe ndjenja e dashurisë. Në rast se familja biologjike nuk kryen këto funksione të lidhura tradicionalisht në mënyrë të pandarë me familjen, atëherë vetiu cënohet mirëqenia e individit brenda familjes. Pjesa më e madhe e individëve të marrë në studim, shpjeguan se ishte pikërisht nevoja e tyre individuale për siguri që mbizotëroi në fund ndaj pritshmërisë dhe detyrimit shoqëror për të ruajtur një marrëdhënie të pandryshuar me anëtarët e familjes, pavarësisht sjelljeve të gabuara të anëtarëve të saj ndaj tyre.
Në pothuajse të njëjtat ujëra, edhe prindërit e shpjeguan thyerjen e marrëdhënies me bijtë, duke theksuar nevojën e një prindi që fëmija e tij të tregojë respekt reciprok dhe të investojë emocionalisht në marrëdhënien prind-fëmijë. Ata u shprehën që mund të fillojë të konsiderohet e pranueshme shoqërisht që një prind të ketë një identitet të vetin, përtej marrëdhënies me bijtë. Në këtë mënyrë, qoftë prindërit, qoftë bijtë duket se kanë filuar të sfidojnë besimin kulturor që marrëdhëniet familjare janë dhe ruhen në mënyrë të pavullnetshme. Në vend që të privilegjojmë biologjinë ose historikun familjar si një pikë bashkimi të familjes, ka ardhur koha të evidentojmë “të sjellurit si familje” dhe “ të dhuruarit dashuri” si pasqyrë e asaj që duhet të jetë apo të synojë të bëhet familja.
Përshtati nga “Psychology today”
Noel Cakoni