Në kuadër të nismave komunitare me të rinjtë e Forumit Tematik Rinor në Kavajë u zhvillua ekspozita e titulluar ‘Touch of the woman’ e realizuar nga fotografja Joana Selishta, në kinoteatrin “Aleksandër Moisiu”, në qytetin e Kavajës.
Jo rastësisht u përzgjodh ky aktivitet, pasi shkon në sinkron të Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të rinjtë të rrisin aftësitë e përfshirjes së perspektivës gjinore përmes fotos, si dhe ndërgjegjësimin mbi profesionet jo-tradicionale femërore.
Nëpërmjet artit të fotos, Joana na paraqiti një kolazh fotosh me profesione të ushtruara vetëm nga gjinia femërore, ndryshe nga ç’jemi mësuar ti shikojmë shpesh në përditshmërinë tonë. Konkretisht, ndër profesionet që ushtronin punonjëset femra mund të përmendim: police, kuzhiniere, marangoze, mekanike, prodhuese e poçeve të baltës, specialiste kompjuterash, këshilltarja për mbrojtjen nga ligji, etj.
Të rinjtë shfaqën mjaft interes dhe u përfshinë në diskutime, ku ekspertja dha mjaft informacione mbi arsyet e realizimit të fotografive, si dhe ndau disa informacione shumë të vlefshme për artin e fotografisë me të rinjtë permes workshopit te realizuar.
Ky aktivitet u organizua nga ACFD ne bashkepunim me bashkine Kavaje, në kuadër të projektit “Forumi Tematik Rinor – një mjet për të fuqizuar të rinjtë në bashkinë Kavajë” në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perendimor 2 (ReLOaD2), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).