Shkolla e Mesme e Përgjithshme Publike “Dhosi Liperi” në Sukth

20/10/2025

16 Tetor 2025, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Publike “Dhosi Liperi” në Sukth, u zhvillua sesioni i 15-të ndërgjegjësues në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi dhe Aktivizimi i të Rinjve për Siguri dhe Edukim.”

Rreth 35 nxënës dhe nxënëse morën pjesë fillimisht në sesionin teorik, për të kuptuar më mirë rreziqet që lidhen me sjelljen në rrugë, e më pas përjetuan një eksperiencë të veçantë përmes makinës së simulimit të aksidentit.

“Vetëm kur e përjeton, kupton sa i shpejtë mund të jetë momenti që gjithçka ndryshon.” – tha një nga nxënësit pjesëmarrës, pas demonstrimit.

Falë mbështetjes së ekspertëve të sigurisë, përfaqësuesve të Policisë Vendore Durrës dhe stafit të shkollës, të rinjtë reflektuan mbi mënyrën si mund të jenë më të kujdesshëm e të përgjegjshëm si këmbësorë, pasagjerë apo drejtues të ardhshëm mjetesh.

Ky aktivitet u zhvillua nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes, me mbështetjen e Programit “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria Suedeze.

Të rinjtë e “Dhosi Liperi” na kujtuan se ndërgjegjësimi fillon në bankat e shkollës, por shpëton jetë në rrugë.