
Energjia e sportit në shërbim të sigurisë rrugore
20/10/2025
Më 15 Tetor 2025, në Shkollën e Mesme Sportive Publike “Benardina Qerraxhia” në Durrës, u zhvillua sesioni i 14-të ndërgjegjësues me rreth 40 nxënës dhe nxënëse – sportistë që çdo ditë stërviten për disiplinë, përkushtim dhe kujdes… virtyte që vlejnë po aq edhe jashtë fushës së sportit.
Pas pjesës teorike, të rinjtë provuan makinën e simulimit të aksidentit, duke përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikimin e shpejtësisë dhe mungesës së kujdesit në rrugë.
“Në sport mësojmë të respektojmë rregullat. E kuptova që edhe në rrugë, rregullat shpëtojnë jetë.” – u shpreh një prej nxënësve pjesëmarrës.
Ky aktivitet u zhvillua nga Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes, në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi dhe Aktivizimi i të Rinjve për Siguri dhe Edukim”, me mbështetjen e Programit “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria Suedeze.
Sportistët e rinj të “Benardina Qerraxhia” treguan se forca e vërtetë nuk matet me shpejtësinë, por me përgjegjësinë.
Një reflektim i fuqishëm që na kujton se siguria është një garë që fitohet çdo ditë – me vetëdije dhe kujdes.