Më datë 26 qershor 2018, në Beograd u prezantua raporti “Cilësia e jetës – publikimi i të dhënave për të nxitur politika më të mira”, i hartuar nga Komisioni Evropian, ku përfshihen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë event u mblodhën 50 përfaqësues të autoriteteve publike në nivele europiane dhe rajonale.

Anketa Evropiane e Cilësisë së Jetës është një studim unik pan-evropian që shqyrton kushtet e jetës së qytetarëve evropian në lidhje me mirëqenien individuale dhe cilësinë e shoqërisë dhe shërbimeve publike. Në anketë përfshihen tema të tilla si shëndetësia, strehimi, ekuilibri i familjes, i punës dhe i jetës, besimi, pjesëmarrja në shoqëri, përjashtimi social dhe tensionet shoqërore.

Tre fushat kryesore të studimit ishin: cilësia e jetës, cilësia e shoqërisë dhe cilësia e shërbimeve publike.

Për herë të parë në anketën e këtij studimi u përfshinë edhe vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian të tilla si: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Seminari kishte në fokus të tij prezantimin e gjetjeve mbi indikatorë që lidhen me jetën, shoqërinë dhe shërbimet publike në këto vende.

Sipas rezultateve të sondazhit, statistikave ekzistuese sociale do tju bashkëngjiten të dhëna të reja nga vendet kandidate.

Një nga objektivat e këtij prezantimi ishte diskutimi mbi gjetjet nga të dhënat e ofruara për të ndikuar tek politikë-bërësit mbi vendosjen e prioriteteve  dhe aplikimin e politikave të reja në secilin vend.

Sipas të dhënave të prezantuara, krahasuar me sondazhin e vitit 2011, për 28 vendet e BE-së për fushat e mësipërme, shohim që kemi një rritje të nivelit të kënaqësisë lidhur me standartet e jetesës, por disa tregues të tjerë lidhur me cilësisë e jetës janë ulur në nivelet e situatës së para krizës në një pjesë të vendeve evropiane. Vihet re se për kategorinë e personave me të ardhura të ulta raportojnë më pak përmirësime në cilësinë e shërbimeve publike gjë që tregon për prezencën e një pabarazie të vazhdueshme ku ekzitojnë dallime midis vendeve, gjinisë, kategorisë sociale etj.

Në përgjithësi vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten pas atyre të Bashkimit Evropian në të gjithë indikatorwt e prezantuar në ketw studim. Por, ajo që performon më keq është Shqipëria, e cila është e fundit në pothuajse të gjithë treguesit.

Për pyetjen “Sa të kënaqur jeni ju me jetën tuaj ditët e sotme?”, për të gjitha moshat dhe gjinitë, Shqipëria ka një mesatare prej 4.9 pikë, që është më e ulëta në Europë.

Nga rajoni, më të kënaqur me jetën janë serbët dhe malazezët, me nga 6.3 pikë secili.

Shtetet që marrin pikët më të larta janë Danimarka, Finlanda dhe Suedia.

Pwr pyetjen: “Duke i marrë të gjitha në konsideratë, sa të lumtur do të thoni që jeni?”, Shqipëria ka një pikëzim prej 5.2, që është sërish më i ulëti në Europë.

Për edukimin, Shqipëria ka gjithashtu vlerësimin më të ulët, me 5.8 pikë dhe pas saj vjen Turqia, me 6 pikë dhe Maqedonia me 6.1 pikë.

Lidhur me kënaqësinw me standardet e jetesës Shqipwria është gjithashtu më e ulëta në Europë, me 5.1 pikë dhe pwr cilwsinw e akomodimit me 6.5 pikw.

Më të kënaqurit me standardet e jetesës në Europë janë danezët dhe suedezët, me përkatësisht 8.3 dhe 8.2 pikë.

Më të kënaqurit me akomodimin janë austriakët, danezët dhe irlandezët, me 8.4 pikë secili.

Shqiptarët mbajnë rekord për vështirësitë që hasin për të zgjidhur problemet e tyre. 57% e tyre kanë pohuar se “kanë vështirësi për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës”.

Një tjetër pyetje, ku nuk ngurrojmë ta shfaqim pakënaqësinë me jetën është “Në jetën time të përditshme, unë rrallë kam kohë që të bëj gjëra që realisht më pëlqejnë”, ku Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që bien dakord me këtë shprehje (52%). Të dytët janë turqit me 49%, të ndjekur nga maqedonasit dhe rumunët.

67% e shqiptarëve bien dakord se “bëjnë diçka të vlefshme në jetë “, ndër më të ulëtat në Europë, pas grekëve (53%) dhe turqve (59%). Më të vlefshëm në Europë ndihen irlandezët (90%).

Ndryshe nga ambienti i jashtëm, perceptimi për kënaqësinë e jetës familjare është ndër më të lartët në Europë, me 8.6 pikë, në të njëjtat nivele me Danimarkën, Austrinë, Maltën etj., ndërsa me vlerësimin më të ulët në këtë pyetje janë Turqia, Bullgaria, Italia.

Pavarësisht se janë të pakënaqur me jetën, shqiptarët janë përgjithësisht optimistë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. 67% e tyre janë optimistë se do të kenë një të ardhme pozitive.

Pra, sipas kësaj ankete rezulton se shqiptarët janë më të pakënaqurit në Evropë lidhur me shumë tregues të vlerësimit të jetës, kënaqësisë dhe lumturisë, standarteve të akomodimit etj., gjë që tregon për nevojën e përmirësimit të standarteve jetësore si dhe hartimin e zbatimin e politikave të reja për individët dhe familjet në përgjithësi. Pavarësisht mungesës dhe pranisë së shumë problemeve në jetën e përditshme shqiptarët ende vazhdojnë të mbajnë shpresa duke ushqyer optimizëm mbi mundësinë e përmirësimit të jetës dhe të ardhmes së tyre.

Shpërnda:

Artikuj të Tjerë:

DONATORËT

X
en_GBEnglish