Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes/ACFD në kuadër të projektit “Bëhu Familja Ime!” organizoi sesionin e katërt informues dhe ndërgjegjësues për shërbimin e kujdestarisë me banorë të komunitetit të njësisë administrative nr.2, Bashkia Tiranë në ambjentet e Bibliotekës nr.2, Tiranë. 21 pjesëmarrës (11 gra dhe 10 burra) morën pjesë në sesion. Ky sesion u organizua në bashkëpunim të plotë me stafin psiko-social dhe ndërlidhësit e komunitetit të NjA 2.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të projektit “Zhvillimi i OSHC-ve për Familjet Kujdestare në Shqipëri” i implementuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri dhe TLAS, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Synimi i sesionit ishte rritja e nivelit të informimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit për dobinë e familjeve kujdestare dhe nevojën e këtij shërbimi për fëmijët pa kujdes prindëror.

Disa nga çështjet më specifike të trajtuara në sesion më konkretisht ishin:

  • Çfarë janë familjet kujdestare?
  • Cilat janë kriteret ligjore për t’u bërë familje kujdestare?
  • Cilat jane hapat e procesit të kujdestarisë?
  • Si funksionojnë ato?
  • Kush janë përfitimet dhe si mund të kuptojmë sfidat?
  • Si mund të ndërgjegjësohemi për rëndësinë jetike të këtij shërbimi për fëmijët e mbetur pa kujdes prindëror?
  • Cilat janë strukturat përgjegjëse dhe organizatat që ofrojnë shërbime specifike për shërbimin e kujdestarisë?

Gjatë sesionit u transmetua intervista e znj. Milena Bekteshi e realizuar në TV7. Znj. Milena Bekteshi është model i nje prindi kujdestar pa lidhje gjaku, e bërë tashmë edhe publike në media. Gjatë intervistës znj. Bekteshi rrëfen eksperiencën e saj, momentet e jetës si nënë kujdestare, marrëdhënien e saj me vajzën në kujdestari, marrëdhënien e fëmijëve të saj biologjikë dhe vajzës në kujdestari, momentet e bukura dhe vështirësitë që e shoqërojnë këtë proces.

Të pranishmit shkëmbyen ide dhe mendime të ndryshme pas ndarjes së historisë së saj personale, ku shumica e tyre u përballën për herë të parë me një rast konkret të kujdestarisë pa lidhje gjaku.

Konkluzione dhe rekomandime:

  • Pjesëmarrësit u informuan për informacionet më të rëndësishme teorike dhe praktike të shërbimit të kujdestarisë;
  • Pjesëmarrësit vlerësuan takimin si mjaft të rëndësishëm;
  • Informacionet e referuara ishin të reja dhe nuk e njihnin më parë kujdestarinë me dhe pa lidhje gjaku si shërbim social alternativ;
  • Disa nga pjesëmarrësit treguan raste të ndryshme kujdestarie me lidhje gjaku të banorëve në komunitetin e tyre, të cilët sipas tyre kanë mjaft probleme në mënyrën se si i trajtojnë fëmijët që mbajnë në kujdestari;
  • U inkurajua nga pjesëmarrësit që familjet kujdestare kanë nevojë të monitorohen më shpesh nga punonjësit social të njësive.
  • Komuniteti sot po perjeton mjaft probleme të mprehta sociale, psikologjike dhe ekonomike, ata kanë mungesa jetike duke sjell lënien e fëmijëve jashtë kujdesit; 
  • Komuniteti është skeptik dhe rezistent për të pranuar kujdestarinë pa lidhje gjaku; 
  • duhet të bëhen fushata të mëdha mediatike për këtë shërbim;

Shpërnda:

Artikuj të Tjerë:

DONATORËT

X
en_GBEnglish