Projekti «Forumi Tematik Rinor – Një mjet për të fuqizuar të rinjtë në bashkinë Kavajë»

Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes do të zbatojë në partneritet me bashkinë Kavajë projektin “Forumet Tematike Rinore – Një mjet për të fuqizuar të rinjtë në bashkinë Kavajë!” në Bashkinë Kavajë dhe njësitë administrative të saj.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 – ReLOaD2, financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Projekti do të kontribuojë në riaktivizmin e të rinjve, duke u fokusuar në krijimin dhe funksionimin e një instrumenti të quajtur ‘Forumi Tematik Rinor’. Ky mekanizëm do të nxisë angazhimin aktiv të të rinjve dhe do të promovojë pjesëmarrjen e të rinjtve në komunitet, në bashkinë Kavajë. Bashkia Kavajë, në sajë të kësaj ndërhyrje pritet gjithashtu që të rrisë përgjegjshmërinë e saj si një strukturë e qeverisjes vendore dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve lokale për të rinjtë, përfshirë këtu ofrimin e shërbimeve edhe për të rinjtë që i përkasin grupeve vulnerabël, bazuar në moshën, gjininë dhe faktorët e vulnerabilitetit. Ndërhyrja e propozuar bazohet në parimin e përfshirjes sociale, luftimin e përjashtimit social dhe promovimin e praktikave pozitive, me synimin për të nxitur angazhimin rinor dhe iniciativat bazë dhe për t’i bërë këto iniciativa të vetë-qëndrueshme dhe afatgjata.

Objektiv i përgjithshëm i projektit është të rrisë angazhimin rinor dhe kapacitetet e të rinjve për të adresuar problematikat e komunitetit në Bashkinë e Kavajës, përmes funksionimit të Forumeve Tematike Rinore. Objektivat specifike të projektit do të jenë:

  • Lidhur me tematikën e Mobilitetit dhe përfshirja sociale;
  • Të Drejtat e të Rinjve;
  • Organizimi Komunitar dhe Përfshirja Sociale;
  • Komunikimi Efektiv;
  • Advokacia dhe Monitorimi;


Aktivitetet e projektit:

Aktivitet 1. Procesi i identifikimit, krijimi dhe angazhimi i të rinjve në Forumin Tematik Rinor.

Aktivitet 2: Pesë trajnime një-ditore me të rinjtë e Forumit Tematik Rinor.

Aktivitet 3: Mini-forume me bashkëmoshatarë.

Aktivitet 4: Identifikimi dhe zbatimi i aksioneve komunitare të vogla dhe të mëdha nga të rinjtë e Forumit dhe të Kavajës.


Target grupi kryesor i projektit do të jenë të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjec, ku të rinjtë e marxhinalizuar, dhe nga zonat rurale do të kenë prioritet.


Rezultatet e pritura të projektit:

Rezultati 1: Forumi Tematik Rinor do të jetë një platformë fluide për të rinjtë dhe të bëhen pjesë aktive e forumit për të advokuar mbi problematikat që shqetësojnë komunitetin e bashkisë Kavajë;

Rezultati 2: Të rinjtë bëhen promotorë të ndryshimit për komunitetin dhe ndërmarrin nisma konkrete për adresimin e problemeve që prekin komunitetin;


Kohëzgjatja e projektit: Korrik 2022 – Maj 2023