Panairi i Festës së Verës

Atmosferë e bukur feste i bashkoi qytetarët e Kavajës në panairin e Festës së Verës.

Dje, Kavaja përjetoi një ditë feste ndryshe nga vitet e tjera, ku disa partnerë u bënë bashkë për të bërë të mundur organizimin e këtij eventi, me vëmendjen e vecantë dhe kontributin e bashkisë Kavajë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të rinjtë të jenë promotorë të ideve të reja të nismave në komunitetin e Kavajës, ide e cila u mirëprit nga Njësia e Integrimit të BE-së në bashkinë Kavajë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve.

Rritja e ndërveprimit mes të rinjve dhe fëmijëve të grupmoshave 3 – 6 vjec, forcimi i atashimit mes brezave dhe krijimi i një modeli pozitiv nga të rinjtë të punës vullnetare në komunitetin e Kavajës, u konkretizua dhe finalizua përmes këtij eventi.


“Jam shumë i kënaqur që arritëm të organizonim këtë event të bukur për qytetarët e Kavajës, duke vlerësuar kontributin e partnerëve tanë që na kanë mbështetur, si dhe përgëzojë të rinjtë e Kavajës që janë përfshirë në realizimin e aktivitetit“ – u shpreh kryetari i bashkisë Kavajë, z.Redjan Krali.


Stendat u zbukuruan me motivet e Festës nga fëmijët e kopshteve dhe klasat e parashkollorit të shkollave të bashkisë Kavajë, të punuara bashkarisht me personelin dhe të rinjtë e Forumit Tematik Rinor në Kavajë. 20 të rinj së bashku me fëmijët e 14 kopshteve të Kavajës u përfshinë në këtë nismë. Shumë prindër të fëmijëve u bashkuan vullnetarisht për të ndihmuar gjatë panairit.


Gatimet tradicionale të shumëllojshme të përgatitura me dashuri u ofruan për pjesëmarrësit me një cmim simbolik. Të ardhurat modeste të mbledhura nga kopshtet gjatë panairit, do të shkojnë në përmushjen e mungesave të tyre. Animatorët e ardhur posacërisht në këtë event argëtuan dhe krijuan një atmosferë emocionuese për të gjithë fëmijët e pranishëm në panair, ku përreth 2 orë, dhjetëra fëmijë kënduan, kërcyen dhe u përfshinë në lojëra të ndryshme interaktive.


Mbi 300 qytetare vizituan panairin dhe kaluan një ditë festive në Parkun e qytetit të Kavajës.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Forumi Tematik Rinor – një mjet për të fuqizuar të rinjtë në bashkinë Kavajë, në partneritet me bashkinë Kavajë.


Ky projekt është financuar nga #ReLOaD2 dhe Bashkia e Kavajës

Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2) financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP