Reagim publik mbi ngjarjet e ndodhura të krimeve brenda familjes. 31 gusht 2018

Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes shprehet e indinjuar lidhur me ngjarjet e fundit të dhunës ekstreme dhe krimit brenda familjes duke marrë  jetën e shumë personave të rinj, gra, burra, fëmijë dhe të moshuar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhuna është një problem serioz për shëndetin publik dhe të drejtat e njeriut. Përshkallëzimi i saj ka një kosto të lartë shoqërore, sepse prek jo vetëm familjet e përfshira por gjithë shoqërinë.

Ndryshimet e shpejta dhe të vazhdueshme shoqërore, ndryshimet e mentalitetit dhe mënyrës së jetesës, varfëria, papunësia e lartë, arsimimi jocilësor, rënia e mbështetjes dhe ndërveprimit në komunitet, rritja e izolimit shoqëror, mungesa e shërbimeve sociale, qëndrimi negativ kulturor që shoqëria shqiptare ka ndaj dhunës brenda familjes, kultura përjashtimore dhe diskriminuese, historiku familjar dhe struktura familjare, kontekstet psikosociale, devijimet e sjelljes, rritja në masë e përdorimit të alkoolit dhe drogës janë të gjithë faktorë që kanë kontribuar në rritjen e dhunës dhe krimit brenda familjes.   

Çfarë po ndodh me familjen shqiptare? Krimi më i fundit makabër, ai i vrasjes së tetëfishtë të anëtarëve të së njëjtës familje për motive krejt të dobëta, duhet të na bëjë të kuptojmë se ky fenomen tashmë kërkon adresim të menjëhershëm. Është përgjegjësia e shtetit, komuniteteve të ndryshme fetare dhe shoqërore, institucioneve publike qendrore dhe lokale dhe individëve të bashkëveprojnë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta parandaluar atë.  

I bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të realizojë fushata ndërgjegjësimi efektive si dhe të vlerësojë rëndësinë e pranisë dhe rolin e punonjësit social në trajtimin e rasteve, të cilët kanë rëndësi për mbështetjen dhe ndihmën psiko-sociale për të mbijetuarit e dhunës dhe krimit brenda familjes.

I bëjmë apel Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të punojë në drejtim të trajtimit të fenomenit përmes orëve ekstra-kurrikulare për ndërgjegjësimin e brezit të ri, lidhur me fenomenin duke ushqyer ndjenjën e qytetarisë, përgjegjësisë dhe respektit, si familjarë të ardhshëm dhe anëtarë të komunitetit.

I bëjmë apel institucioneve shtetërore lokale të rrisin vëmendjen e tyre ndaj këtij fenomeni, të rrisin koordinimin dhe bashkëpunimin efektiv me institucionet e tjera lokale për parandalimin e rasteve, dhe të ofrojnë kujdesin e nevojshëm për të mbijetuarit e këtyre ngjarjeve.

I bëjmë apel Policisë së Shtetit të ndërmarrë sa më parë fushata kombëtare për mbledhjen dhe kontrollin e armëve, të cilat ende mbeten kërcënuese për jetën e njerëzve.

I bëjmë apel institucioneve fetare të kryejnë misionin e tyre duke shpërndarë frymën e paqes, dashurisë dhe respektit mes njerëzve në cdo komunitet.

Dhe në fund, Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes bën apel për më shumë kohë të përkushtuar ndaj familjes, më shumë komunikim, barazi mes gruas dhe burrit dhe ndarje të barabartë të punëve dhe detyrimeve shtëpiake. Më shumë mbështetje ndërbreznore, më shumë mirëkuptim dhe dashuri mes anëtarëve të familjes.

Dhuna e toleruar dhe krimi në familje janë të papranueshëm dhe duhet të ndëshkohen ashpër dhe prerë. Dhuna në familje nuk është një çështje private. Ajo shkakton një dëm shoqëror që i tejkalon kufijtë e familjes.

Është koha për të reaguar!

Shpërnda:

Artikuj të Tjerë:

Rinia – Dialogu – Pushteti Vendor

Në datë 14 Nëntor, u mblodhën së bashku në një tryezë të rrumbullakët, në takimin e parë të Platformës së Dialogut Rinor në Bashkinë Kavajë.

Mini-Forumi në shkollën 9-vjeçare “Sadi Tatani”

Mini-forumi i radhës u organizua në ambjentet shkollës 9-vjeçare ‘Sadi Tatani’, Njësia Administrative Synej fshati Rrakull, bashkia Kavajë. Qëllimi i takimit ishte identifikimi dhe diskutimi i nevojave dhe problematikave që të rinjtë ndeshin çdo ditë në komunitetin e tyre të zonës dhe sugjerime për ndërhyrjet e mundshme.

Takimi i parë së Platformës së Dialogut

Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes ju fton në Takimin e Parë, të Platformës së Dialogut Rinor, i cili do të zhvillohet në datën 03 Nëntor 2023, ora 14.00, salla e Kinoteatrit ‘Aleksandër Moisiu’, Kavajë.

Takimet me nxënësit e shkollës së mesme profesionale në Golem

Takimet me nxënësit e shkollës së Mesme Profesionale në Golem, bashkia Kavaje kishin si qëllim identifikimin dhe diskutimin e nevojave dhe problematikave që ata shohin në komunitetin e tyre të zonës, si dhe dhënia e sugjerimeve për ndërhyrje përmes nismave komunitare.

Forumi Tematik Rinor i Kavajës II – Nisja e rrugëtimit

Forumi Tematik Rinor i Kavajës ka nisur këto ditë rrugëtimin e ri, ku shumë anëtarë të rinj nga zonat urbane dhe rurale të Kavajës kanë shprehur dëshirën e tyre t’i bashkohen këtij forumi. Gjatë takimeve të para identifikuese, me Zyrën e Njësisë së Integrimit Evropian si një hallkë e rëndësishme për përzgjedhjen e të rinjve, takimet me grupe të vogla mes të rinjve, na ndihmuan të identifikojmë të rinjtë e tjerë nga klasat e 9-ta dhe shkollat e mesme të Kavajës, të cilët kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e forumit në këtë fazë të dytë.

Bëhu dhe ti anëtar/e

Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes në partneritet me Bashkinë Kavajë fton të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç nga Kavaja, nga qyteti dhe fshati, të bëhen pjesë e ‘Forumit Tematik Rinor’ të Kavajës, në fazën e dytë që sapo kemi nisur.

DONATORËT

© 2023 ACFD. All Rights Reserved.

X