35 persona nga komuniteti i Njësisë Administrative Golem, anëtarë të Forumit Tematik Rinor dhe nxënës të Shkollës së Mesme Profesionale ‘Charles Telford Erikson’ u bënë pjesë e nismës komunitare “Të rinjtë në shërbim dhe në mbrojtje të mjedisit“, të realizuar dje në Njësinë Administrative Golem. Pjesë e aktivitetit ishin edhe përfaqësues nga Reload/UNDP, bashkia Kavajë, ACFD dhe stafi i Shkollës Profesionale Golem.
Përmes kësaj nisme u mbollën 40 rrënjë fidanë frutorë nga të rinjtë e pranishëm, në bazën prodhuese të Shkollës së Mesme Profesionale ‘Charles Telford Erikson’ në Golem, e cila do ju shërbejë 148 nxënës (65 vajza dhe 83 djem) që studiojnë në këtë shkollë, për të realizuar praktikën profesionale të disa lëndëve programatike bujqësore. Ideja mbi nismën e realizuar u identifikua si një ndër nevojat e adresuara nga të rinjtë e kësaj shkolle gjatë zhvillimit të mini-forumeve në muajin Tetor 2023.
Një aspekt tjetër thelbësor i nismës, gjithashtu ishte ndërgjegjësimi tek të rinjtë për natyrën dhe të mirat që ofron Toka. Lidhur me këtë, të rinjtë e Forumit Tematik Rinor në Kavajë ideuan një poster me mesazhin ‘Kërcënimi më i madh për Planetin tonë është mendimi se, dikush tjetër do t’a shpëtojë atë’. Posteri do të shpërndahet në ambjentet publike të Njësisë Administrative në Golem, bashkia Kavajë.
‘Kjo nismë ka shumë kuptim për mua, pasi më bëri të kuptoj, se angazhimi im si anëtar forumi, sjell përfitime të qëndrueshme për komunitetin tim’ – shprehet Manuel Peqini, anëtar i Forumit Tematik Rinor në Kavajë dhe ish-nxënës në Shkollën e Mesme Profesionale në Golem.