Rinia – Dialogu – Pushteti Vendor

Dje, u mblodhën së bashku në një tryezë të rrumbullakët, në takimin e tretë të Platformës së Dialogut Rinor në Bashkinë Kavajë me temë ‘Braktisja e qytetit dhe e fshatit nga të rinjtë në bashkinë Kavajë’. Qëllimi i këtij takimi ishte komunikimi, adresimi i problematikës së identifikuar nga të rinjtë e Forumit Tematik Rinor tek përfaqësuesit e Bashkisë Kavajë dhe diskutime për ndërhyrje të mundshme për t’a përmirësuar situatën.

Përmes krijimit të Platformës së Dialogut Rinor në këtë projekt, synojmë që:

  • Të rinjtë të kenë mundësi të shprehin shqetësimet/problematikat e komunitetit dhe të japin kontributin e tyre në sugjerimet/rekomandimet për ndërhyrjet e mundshme;
  • Të zhvillohet fryma e dialogut konstruktiv mes të rinjve dhe vendimmarrësve lokal;
  • Të jetë një platformë e udhëhequr nga parimet e advokacisë, transparencës dhe llogaridhënies mes të rinjve dhe pushtetit lokal;

Mbi 40 pjesëmarrës të cilët ishin përfaqësues nga Bashkia Kavajë, të rinjtë e Forumit Tematik Rinor të Kavajës nga zona urbane dhe rurale dhe anëtarë të Këshillit Rinor Vendor të bashkisë Kavajë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile morën pjesë. Të pranishëm në këtë takim ishin znj. Ester Stefa, Nënkryetare e Bashkisë Kavajë dhe z. Arben Meta, Përgjegjës i Njësisë së Integrimit Evropian në bashkinë Kavajë. Ata ndoqën me mjaft interes shqetësimet e të rinjve dhe bashkëbiseduan së bashku, duke ju përgjigjur pyetjeve të adresuara për bashkinë.

Disa prej problemeve të identifikuara nga të rinjtë e pranishëm të cilët jetojnë në qytet dhe në fshat, ishin:

– Të ketë një angazhim në numër më shumë të të rinjve në KVR dhe KVSP (Këshilli Vendor i Sigurisë Publike) që bashkia e Kavajës e ka të ngritur që në vitin 2017.

– Rikthimi në funksion të plotë të bibliotekës publike Kavajë, ku të ketë edhe promovime të botimeve nga të rinjtë;

– Formimi i guidave turistike me të rinjtë, me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës gjatë verës për shoqërimin e turistëve vendas dhe të huaj.

– Të ketë një program/hapësirë të dedikuar tek TV lokal ‘Drita TV’ kushtuar çështjeve të të rinjve dhe fëmijëve

– Përfshirja e sa më shumë të rinjve nga zonat rurale në aktivitetet e bashkisë Kavajë

– Investim nga bashkia për aktivitete dhe qendër kulturore të udhëhequra nga të rinjtë.

– Investim për mjedise sportive në qytet dhe fshat për të rinjtë

– Zhvillimi i praktikave/intershipe mësimore për të rinjtë që mbarojnë universitetin dhe mund ta zhvillojnë në institucione/biznese në Kavajë, si një mundësi më shumë për të qëndruar në Kavajë dhe për të filluar një vend pune pas shkollës.

Përfaqësuesit e bashkisë ishin mjaft të hapur dhe transparentë gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, duke i mirëpritur të gjitha problematikat/nevojat e adresuara nga të rinjtë, si dhe duke ofruar alternativa dhe mundësi konstruktive për zgjidhje.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Forumi Tematik Rinor – një mjet për të fuqizuar të rinjtë në bashkinë Kavajë” në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Shpërnda:

Artikuj të Tjerë:

DONATORËT

X