Qëndra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Artistike “Jordan Misja” dhe Shkollën 9 vjeçare “Misto Mame” të Tiranës, organizuan, më 24 Mars 2018, në ambjentet e TEG, aktivitetin me temë “Vizatimi i Lumturisë” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë. Ky aktivitet u mbështet financiarisht nga partneri ynë kryesor Vitabiotics Albania, pjesë e kompanisë farmaceutike FLORIFARMA.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte inkururajimi i prindërve, stafeve pedagogjike dhe psiko-sociale të shkollave për përdorimin e arteve figurative nga fëmijët dhe të rinjtë, si mënyrë për nxitjen e lumturisë, të menduarit pozitiv dhe eliminimit të qëndrimeve e sjelljeve negative si rrjedhojë e konteksteve shoqërore ose familjare.
Aktiviteti konsistoi në prezantimin e punimeve të arteve figurative që një grup prej 12 nxënësish të të dyja shkollave kishin përgatitur për të shprehur sipas tyre konceptin e lumturisë. Një pjesë e këtyre punimeve, u përfunduan gjatë aktivitetit.
Elementë të shumtë argëtues dhe edukativë janë përfshirë si pjesë e rëndësishme e aktivitetit që targetojnë moshat fëmijërore, me face painting, vizatime, ngjyrosje, muzikë etj. të cilët do të asistohen nga të rinjë artistë dhe stafi i Liceut Artistik. Gjithashtu mesazhe me sllogane e thënie të ndryshme mbi familjen dhe lumturinë u shpërndanë për të gjithë të pranishmit.
Punimet artistike të përgatitura në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë, do t’i dhurohen Shërbimit të Onko-Hematologjisë Pediatrike të Qendrës Spitalore Universitare, Tiranë.
Gjithçka ishte ideuar për të marrë e dhënë lumturi!