Ndërgjegjësimi dhe aktivizimi i të rinjve për siguri dhe edukim
Mbështetur nga:
“Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, që financohet nga Qeveria Suedeze
Kohëzgjatja:
Mars – Dhjetor 2025
Programi:
Shëndet dhe mirëqënie
Vendndodhja:
Bashkia Durrës
Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes (ACFD), në bashkëpunim me Qendrën për Edukim dhe Avancim Social (CESA) në Durrës, do të zbatojë projektin “Ndërgjegjësimi dhe Aktivizimi i të Rinjve për Siguri dhe Edukim”, me synim angazhimin dhe edukimin e të rinjve si promotorë të sigurisë rrugore. Projekti synon të përgatisë të rinjtë për të zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese dhe për të shpërndarë mesazhe sensibilizuese në komunitet, duke promovuar sjellje të sigurta në rrugë. Aktivitetet kryesore përfshijnë krijimin e faqeve ‘SiguriaNëRrugë’ në Facebook dhe Instagram, prodhimin e një videoje promovuese, si dhe organizimin e 16 simulimeve dhe sesioneve edukative në 8 shkolla të mesme publike të Durrësit.
Nxënësit do të kenë mundësinë të testojnë aftësitë dhe refleksin e tyre përmes një simuluesi drejtimi, si dhe të përjetojnë pasojat e sjelljeve të rrezikshme në trafik përmes syzeve VR. Ekspertë të sigurisë rrugore do të zhvillojnë prezantime ndërvepruese mbi rregullat bazë të trafikut dhe sjelljet e sigurta në rrugë. Projekti do të kulmojë me organizimin e “Ditës së Sigurisë Rrugore” në Durrës, ku fëmijët dhe të rinjtë do të mësojnë mbi sigurinë rrugore përmes zonave të simulimit të trafikut, ndërsa prindërit dhe të rinjtë do të marrin pjesë në prezantime edukative nga oficerë policie dhe ekspertë të trafikut.
Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sigurinë rrugore tek rreth 600 nxënës të shkollave të mesme, të krijojë një platformë të qëndrueshme për ndarjen e mesazheve sensibilizuese dhe të organizojë një aktivitet gjithëpërfshirës për komunitetin. Bashkia Durrës dhe institucionet lokale të sigurisë rrugore do të luajnë një rol kyç në zbatimin e suksesshëm të projektit, ndërsa fushatat dhe aktivitetet komunitare do të sigurojnë angazhim të gjerë publik.
Ky projekt synon të sjellë një ndryshim konkret në ndërgjegjësimin dhe sjelljet e të rinjve dhe komunitetit lidhur me sigurinë rrugore. Rezultatet specifike të pritshme përfshijnë:
• Rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive mbi sigurinë rrugore për rreth 600 gjimnazistë në 8 shkolla publike në Durrës përmes sesioneve edukative dhe simulimeve praktike.
• Krijimin dhe mirëmbajtjen e funpage ‘iSigurtnëRrugë’ në Facebook dhe Instagram, duke mundësuar një platformë të qëndrueshme për shpërndarjen e mesazheve ndërgjegjësuese dhe përfshirjen aktive të të rinjve.
• Prodhimin dhe shpërndarjen e një videoje promovuese duke ndikuar në ndryshimin e sjelljeve të bashkëmoshatarëve përmes një qasjeje autentike dhe frymëzuese.
• Zhvillimin e “Ditës së Sigurisë Rrugore” në Durrës me angazhimin e të paktën 50 pjesëmarrësve, duke ofruar aktivitete ndërvepruese për të gjitha grupmoshat dhe promovuar një kulturë të re të sigurisë rrugore në komunitet.
Impakti përfundimtar do të jetë një rritje e ndjeshme e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së të rinjve në nisma të sigurisë rrugore, duke kontribuar në uljen e sjelljeve të rrezikshme dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.